Lehtësimi i biznesve “kushtoi” 270 milion euro. Post-karantina nuk amortizon efektet e pandemisë në buxhet
Rigjallërimi i ekonomisë dhe rritja e të ardhurave pas periudhës së karantinës, nuk ka arritur të amortizojë efektet negative që ka dhënë pandemia COVID-19 në buxhetin e shtetit, duke bërë që 8-mujori të mbyllet me 284 milionë euro më pak.
Sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, pergjatë periudhës Janar-Gusht u mblodhën 270.7 miliardë lekë. Lehtësitë e krijuara ndaj bizneseve me shtyrjen e kësteve të tatimfitimit apo të TVSH-së për t’iu dhënë një dorë në kushtet e krizës së pandemisë, i kanë kushtuar arkës së shtetit 33.7 miliradë lekë, apo 271 milionë euro, krahasuar me një vit më parë në të ardhurat tatimore, të cilat kanë pësuar goditjen më të rëndë.
Konkretisht të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura, pësuan një tkurrje prej 11.7 për qind apo rreth 151 milionë euro në raport me vitin e shkuar.
Ndërsa të ardhutat doganore, nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare u tkurrën me 11.9 miliardë Lekë ose 96 milionw euro në krahasim me vitin fiskal 2019. Në krahun tjetër, shpenzimet në 8 mujor arritën në 323 miliardë lekë, duke u rritur me 4.3 për qind apo 108 milionë euro për shkak të paketave financiare në mbështetje të biznesit dhe individëve në kuadër të pandemisë.
Defiçiti buxhetor arriti në nivelin e 438 milionë Eurove, nga 540 milionë euro që është parashikuar në aktin e fundit normativ të qeverisë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.