Progres i lehtë në indeksin e kapitalit njerëzor. BB: Një fëmijë i lindur sot në Shqipëri do arrijë vetëm 63% të potencialit
Shqipëria grumbullon 0.63 pikë në indeksin e kapitalit njerëzor të Bankës Botërore, të sapopublikuar. Ky indeks është ndër më prestigjiozët në nivel global, mbi të cilin bazohen edhe shumë raporte të tjera ndërkombëtare.
Në raportin e kaluar, vendi ynë grumbullonte 0.62 pikë. Indeksi është prezantuar për herë të parë në vitin 2018, dhe mat nivelin e kapitalit njerëzor që një fëmijë i lindur sot mund të presë të arrijë deri në moshën 18-vjeçare.
Ky indeks mat produktivitetin e brezit të ardhshëm të punonjësve kundrejt një niveli me arsimim të përfunduar dhe shëndet të plotë, që shërben si tregues krahasimi. Pra, nga një fëmijë i lindur sot në Shqipëri, mund të pritet që ai të arrijë vetëm 63% të produktivitetit të tij, krahasuar me potencialin që ka, në rast se do të kishte marr kujdesin e duhur shëndetësor dhe në edukim.
Nga një fëmijë i lindur në botë në vitin 2020 mund të pritet të jetë, mesatarisht, 56 përqind produktiv në krahasim me potencialin, kur të rritet. Gjatë periudhës 2010-2020, vlera e këtij indeksi për Shqipërinë është rritur nga 0,54 në 0,63.
“Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka shënuar përmirësime të rëndësishme në cilësinë e arsimit. Rezultatet e testit të harmonizuar janë rritur nga 397 pikë në 2010 në 434 pikë në 2020. Shqipëria, gjithashtu ka rritur numrin e viteve të pritshme të shkollimit. Një fëmijë që nis shkollën sot, pritet të kryejë12.9 vjet shkollim deri në moshën 18 vjeç, krahasuar me 11.6 vjet që ka qenë në 2010”-thuhet në raport.
Ndër të tjera, vihet re një diferencë e ndjeshme mes djemve dhe vajzave, si në indeksin e përgjithshëm, edhe në nën-indikatorët e tjerë, që nga shëndeti e deri te vitet e arsimit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.