Lehtësitë për turizmin elitar – Topuzi: Të nevojshme, nuk pengojnë kategorinë tjetër
Krijimi i lehtësive fiskale për investitorët në struktura akomoduese me 4 dhe 5 yje është domosdoshmëri për të thithur këtë lloj turizmi, që në vendin tonë aktualisht mungon. Kështu është shprehur për Televizionin SCAN kreu i shoqatës së hotelierëve, Zak Topuzi i cili shtoi se kjo gjë nuk penalizon pjesën tjetër.
“Nuk do të ketë probleme për industrinë në përgjithësi, sepse për këtë target-grup ka kërkesa të cilat vijnë jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga rajoni, ndërsa pjesa ekzistuese do të vazhdojë të shesë me të njëjtin ritëm. Po diskutohej më 15 Korrik dhe 15 Gusht për të kërkuar një dhomë apo një hole në zonën e Himarës, Dhërmiut apo Sarandës do të ishte e zënë dhe ky target-grup nuk është se vjen në Shqipëri, ky target grup që shpenzon do të jetë i ri.”
Topuzi theksoi se nevoja më e madhe për ndërtimin e hoteleve me 4 dhe 5 nuk është në Tiranë por në zonat të tjera të vendit, duke shtuar se kryeqyteti ka nevojë për hotele me 2 ose 3 yje.
“Tirana është e tejngopur me hotele me 5 yje, madje ato po bëjnë konkurrencë me njërit- tjetrin, ndërkohë që këtu duhen hotele me 2 dhe 3 yje për të thithur këtë kontingjent që folëm, pra për turistët e zakonshëm, pra jo për korporatat që shpenzojnë për të vajtur në hotele me 5 yje.”
Ndërsa lidhur me statusin e veçantë për investitorin në sektorët akomodues me 4 dhe 5 yje, Topuzi u përgjigj:
“Nuk besoj se është e nevojshme përderisa t’i ke një ligj të turizmit, ke disa akte nënligjore që janë të përcaktuara standarde të qarta dhe një person që plotëson këto standarde mund të kalojë automatikisht në këtë lloj statusi.”
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.