Lideri i ardhshëm i Britanisë – Debat televiziv mes kandidatëve. Mungon Boris Johnson
Disa zëvendësues të mundshëm të Kryeministres Theresa May, kanë shënjestruar kandidatin kryesor Boris Johnson, duke vënë në dyshim premtimin e tij për të dalë me çdo kusht nga Bashkimi Europian në muajin Tetor. Ndërkohë që ish-kryebashkiaku i Londrës dhe ministri i jashtëm, Boris Johnson, ka shmangur përballjet në publik, kandidatët e tjerë kanë shprehur hapur mënyrat se si kërkojnë të qeverisin Partinë Konservatore. Në një debat televiziv, ku Boris Johnson mungonte, pesë kandidatët e tjerë argumentuan se kush do të jetë personi më i përshtatshëm për të drejtuar Brexit. Sekretari i jashtëm, Jeremy Hunt, kritikoi mungesën e Johnson gjatë debatit.
“Kemi 25 minuta që flasim për Brexit dhe Boris mungon. Nëse ekipi i tij nuk e lejon atë që të debatojë me 5 kolegë miqësorë, si do t’ia dalë ai me 27 shtete europiane? Ai duhet të jetë këtu dhe t’i përgjigjet kësaj pyetje,” tha Hunt.
Megjithatë, heshtja e Johnson nuk e ka cenuar deri më tani popullaritetin e tij. Ai siguroi një avantazh në raundin e parë të votimit nga politikanët konservatorë dhe ekipi i tij shpreson për një rezultat më të mirë në raundin e dytë që do zhvillohet këtë javë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.