Lidhja “lumturi – taksa” – Vendet më të lumtura paguajnë taksat më të larta në botë
Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë në SHBA po përpiqen të kalojnë reformën tatimore që projekton shkurtime në taksa në rreth 1.5 miliardë dollarë, megjithatë, vendet më të lumtura në botë për 2017-n nuk janë ato që ofrojnë një barrë të ulët tatimore. Sipas Raportit të Lumturisë Botërore të Kombeve të Bashkuara, vendet më të lumtura kanë barrën tatimore më të lartë në botë.
Sipas autorit të raportit, Jeffrey Sachs, lumturia është rezultat i krijimit të themeleve të forta sociale. Tre vendet më të lumtura, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda, kanë nivelin më të lartë të taksave në botë, matur nga totali i të ardhurave nga taksat në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, tregojnë të dhënat e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
Përfitimet e mëdha sociale që banorët gëzojnë në këmbim të taksave më të mëdha, si kujdesi universal shëndetësor dhe aksesi në edukim, mund të përkufizojnë “themelet e forta sociale” që përmend raporti.
Në vitin 2014, në terma të totalit të të ardhurave tatimore në raport me PBB të matur për frymë, Norvegjia rezultonte në vend të 2 nga 35 ekonomi të zhvilluara, me 37,682 dollarë. Danimarka zinte vendin e tretë me 30,630 dollarë dhe Islanda në vend të 9-të me 20,418 dollarë, tregojnë të dhënat e OECD.
Çdo vend që kryeson në raportin e lumturisë të Kombeve të Bashkuara kanë paguar sipër mesatares prej 14,916 dollarë në vitin 2014. Shtete e Bashkuara renditen në vend të 14, shumë më poshtë se Kanadaja fqinje, që zë vendin e 7.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.