Ligji i faljes, mbi 105 mijë subjekte kanë përfituar që në ditën e parë nga procesi i fshirjes automatike të detyrimeve

Mbi 105 mijë subjekte përfitojnë nga ligji që në ditën e parë të ekzekutimit automatik të fshirjes së detyrimeve. Kështu thuhet në një njoftim të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku ndër të tjera thuhet se ku institucion po vijon me implementimin dhe zbatimin korrekt të ligjit. Konkretisht, gjatë ditës së djeshme kanë përfituar nga fshirja automatike rreth 105,047 tatimpagues si në status aktiv edhe në atë pasiv, të cilët kanë pasur në ngarkim gjoba për deklarim të vonuar të deklaratave tatimore, të tilla si:
-Deklarata individuale vjetore e të ardhurave,
-Deklarata të TVSH-së,
-Deklarata për destinimin e fitimit
-Listpagesë e TAP
-Deklaratë Tatim Fitimi/Tatim i Thjeshtuar i Fitimit etj.
-Ftohen të gjithë tatimpaguesit të kontrollojnë llogarinë e tyre elektronike për të konfirmuar nëse kanë përfituar nga kjo fshirje.
“Në zbatim të ligjit “Për Pagesën dhe fshirjen e pjesshme te detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit” dhe udhëzimit të Ministrisë se Financave në zbatim të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po vijon me implementimin dhe zbatimin korrekt të ligjit. Gjatë ditës së djeshme kanë përfituar nga fshirja automatike, rreth 105,047 tatimpagues si në status aktiv edhe në atë pasiv, të cilët kanë pasur në ngarkim gjoba për deklarim të vonuar të deklaratave tatimore”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu ky dikaster i bën thirrje subjekteve se nëse tatimpagesit vlerësojnë se përfitojnë nga kjo falje dhe nuk konstatojnë fshirjen e gjobave në llogarinë e tyre, të kontaktojnë pranë zyrave të shërbimit të tatimpaguesve.
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ju bën edhe njëherë thirrje të gjithë tatimpaguesve të dorëzojnë deri më 30 Qershor çdo deklaratë të padorëzuar më parë, në mënyrë që të përfitojnë nga fshirja automatike e penaliteteve për to. Procesi i fshirjes automatike do të vijojë hap pas hapi me çdo zë që parashikon legjislacioni në fjalë. Për çdo rast, tatimpaguesit do të duhet të konsultohen me legjislacionin lidhur me detyrimet që përjashtohen nga falja. Informacioni i plotë i ligjit dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave gjenden të publikuara në faqen zyrtare të tatimeve www.tatime.gov.al në rubrikën “Legjislacioni””, thuhet në njoftimin e DPT-së.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.