Listimi i OSHEE në bursë, Gjiknuri: Ndihmon në gjetjen e financimeve për investime
Listimi i një pakete aksionesh të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Bursë do të ndihmojë në gjetjen e financimeve në kryerjen e investimeve të nevojshme për kompaninë.
I pyetur nga TV SCAN, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri tha se OSHEE është duke përfunduar ndarjen në 3 kompani, çka më pas do të mundësojë dhe listimin në bursë dhe blerjen e aksioneve nga qytetarët shqiptarë dhe investitorët e huaj.
“Mundësitë e investimeve që po bëjmë dhe nevoja që do ketë operatori i shpërndarjes për financime të mëtejshme ka disa mënyrë, duke përfshirë edhe publikun shqiptar, por mbi të gjitha edhe duke përfshirë institucionet ndërkombëtare. Qëllimi është që në krye të disa viteve ne të jemi në gjendje, që një pjesë të aksioneve të kemi mundësi ta bëjmë të hapur, edhe për publikun edhe për institucionet financiare, të cilat këtë kapital do ta konvertojnë në një vlerë aksionesh dhe do kemi mundësi të kryejmë këto investime kaq të nevojshme. Sepse që të bëjmë të mundur edhe liberalizimin e tregut na duhet një sistem modern matje, duhet një sistem online komunikimi, duhet një sistem që na bën të mundur çdo kohë kë kemi klient privat, kë kemi klient familjar, të gjitha këto do bëjnë të mundur edhe një administrim më të mirë financiar, për të future edhe tarifimin me fasha orare, kur energjia është e shtrenjtë paguhet e shtrenjtë”.
Gjiknuri pa nga afër investimin e ri të kryer në sistemin e komandimit online të kabinave elektrike dhe zyrave të Shërbimit ndaj Klientit në degën e Tiranës.
“Hapim një sportel të ri të Kujdesit ndaj Klientit, në një ambient që ka qenë mizerabël. Është transformuar në një ambient tejet modern dhe në kushte mjaft të përshtatshme për t’i shërbyer qytetarëve. Por risia e këtij inaugurimi është kjo sallë e dispecerisë qendrore të Drejtorisë Rajonale Tiranë, ku ne kemi implementuar për herë të parë monitorimin online të kabinave. Këtu janë rreth 30 kabina të qendrës së Tiranës që monitorohen online dhe ky është një proces që do të vazhdojë të shtrihet. Brenda vitit në rreth 250 kabina të tjera në Tiranë dhe do të vazhdojë të zgjerohet në Durrës, Vlorë, Shkodër dhe në Elbasan, qytetet kryesore.
Komandimi në distancë i kabinave elektrike i jep mundësinë stafit teknik që të operojë më shpejt dhe më mirë në rrjet, të ulë numrin e defekteve, numrin e ndërprerjeve dhe të ruajë pajisjet.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.