“LSE”: “KE” na tha jo! Shkrirja e Londrës me Frankfurtin komplikohet
London Stock Exchange deklaroi se, shkrirja me Deutsche Bourse në një kompani të vetme, ka shumë pak gjasa të ndodhë, pasi Komisioni Europian nuk do ta lejojë. Brukseli i ka kërkuar kështu londinezëve të shesin vetëm 60% të aksioneve, gjë e cila për ta konsiderohet jo e arsyeshme. Bëhet fjalë për shkrirjen mes dy operatorëve më të mëdhenj të tregut europian.
“Duke vlerësuar pozitën aktuale të Komisionit Europian, LSE, pra London Stock Exchange, mendon se Komisioni ka shumë pak gjasa të japë dritën jeshile”-thuhet në deklaratën e operatorit. Njoftimi vijon duke nënvizuar se, kompania do të vijojë të punojë për realizimin e shkrirjes me Deutsche Bourse, por se nga ana tjetër, këto përpjekje do të jenë të kota pa miratimin e Komisionit Europian.
Ky i fundit bazohet në rregullat e përbashkëta anti-trust në kundërshtimin e një marrëveshje të tillë. Deutsche Bourse nga ana tjetër, në një njoftim të veçantë, i`a lë peshën e vendimit londinezëve, duke nënvizuar nga ana tjetër se pret një vendim përfundimtar nga Brukseli brenda fundit të muajit të ardhshëm.
Pak kohë më parë, të dy operatorët njoftuan marrëveshjen për tu shkrirë në një kompani, për një vlerë prej 29 miliardë eurosh, me synimin për të krijuar në treg një gjigand në gjendje të konkurrojë rivalët amerikanë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.