“Lufta” me sëmundjen e ëmbël – Rreth 5 mijë raste në vit, një në dy të rritur me diabet
Rreth 5 mijë rastë rë reja diagnostikohen çdo vit me diabet në Shqipëri, 50 prej të cilëve fëmijë. Por 1 në 2 të rritur me diabet, nuk e dinë që vuajnë nga kjo sëmundje. Ndërgjegjësimi për parandalimin dhe diagnostikimin në kohë të kësaj sëmundje është i rëndësishëm. Në një intervistë për RTV SCAN, Prof.Dr Isuf Kalo theksin e vë tek puna që duhet të bëjë shoqëria dhe institucionet në parandalimin e diabetit.
“Ne duhet të krijojmë në radhë të parë një politikë ushqimore që ka në qendër kontrollin kalorik. Të kemi parasysh që mund të bëjmë legjislacion, i cili kufizon njëçik përdorimin e ushqimeve të shpejta, ushqimeve të mbingarkuara me yndyrna dhe kalorazh. Nxitje e aktivitetit fizik. Mund të bëhet gjithashtu në lidhje me faktorët e stresit që ndikojnë dhe me një kujdes njëçik më të veçantë me moshën e tretë, që është mosha që gjithnjë e më shumë do shtohet dhe krijon një barrë të madhe financiare”, tha Kalo.
Disa nga faktorët që ndikojnë tek kjo sëmundje janë , stresi, obeziteti dhe ushqimet jo të shëndetëshme.
“Stili i jetës së njerëzve ka ndikuar në këtë gjë, qoftë me ditën, stilin jo të shëndetshëm të ushqimit, kufizimit të aktivitetit fizik. Një faktor tjetër është moshimi i popullatës, stresi dhe natyrisht edhe urbanizimi”, shtoi profesori.
Sipas Prof.Kalo shteti duhet që të investojë në kryerjen e një aanalize që ju bëhet pacientëve me diabet për të parë se si ka ecur trajtimi i tyre. Bëhet fjalë për analizën e hemoglobinës së glukolizuar e cila në privat kushton rreth 1500 lekë.
“Ka diçka që mund të bëhet më mirë dhe të financohet më mirë. Për mendimin tim, është dozimi i një analize hemoglobine e glukolizuar çdo tre muaj, e cila është referencë për të na thënë retrospektivisht nëse kemi qenë të suksesshëm në gjithsej këto të mira që kemi në dispozicion tonë dhe të sëmurit, e kanë arritur efektin apo jo”, shton Kalo.
Ndërkohë që në buxhetin e vitit 2018 do të rimbursohet insulina për çdo moshë si dhe fishat për fëmijët.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.