“Luftë” kredive të këqija – Ministrat e Financave të “BE” në Maltë, gati drafti

Ministrat e financave të Bashkimit Europian do të takohen ditën e Premte. Në qendër të diskutimit, por edhe në krye të axhendës së tyre do të jetë përpjekja për të gjetur një marrëveshje për adresimin e huave të këqija në bankat e rajonit.
Kreditë e këqija ulin ndjeshëm fitimet e bankave dhe kapitalin si dhe ndrydhin financimin në ekonomi. Kriza financiare e vitit 2008 si dhe kthesa e rrezikshme që mori më pas ekonomia europiane nxitën një rritje të kredive jo-performuese për bankat e Bashkimit Europian.
Tashmë, këto kredi fiksohen në 1 trilionë euro, duke zënë 5.4% të totalit të portofolit të huasë të bankave.
Ministrat e financave të Bashkimit Europian do të mbajnë takime informale ditën e Premte dhe të Shtunë në Maltë dhe kanë bërë gati një draft për tu diskutuar. Pjesë thelbësore e draftit është edhe përpjekja për të arritur këtë marrëveshje.
“Hapi i adresimit të kësaj problematike është relativisht i dobët, dhe nëse veprimet vazhdojnë të mbeten në këto nivele, do të duhet disa kohë“, u shpreh një zyrtar i lartë i unionit.
Niveli i 5.4% nuk konsiderohet i lartë, por nga ana tjetër problematika kryesore është diferenca e theksuar mes vendeve anëtare, që varion nga 1 deri në 47%. Greqia, Qipro, Portugalia dhe Italia janë katër vendet më problematike.
Drafti kërkon që ministrat e financave të unifikojnë mënyrën e menaxhimit të kredive të këqija me mbikëqyrësit e bankave në të gjithë vendet e rajonit. Pjesë e draftit është edhe ideja e ristrukturimit të sistemit bankar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.