Luhatjet e kursit të këmbimit – Sejko: Banka e Shqipërisë nuk ka “gisht”

Guvernatori Gent Sejko mohoi të mërkurën që Banka e Shqipërisë të ketë pasur ndonjë ndikim në lëvizjet e kursit të këmbimit valutor në javët e fundit. Ai theksoi edhe njëherë se Banka Qendrore beson në regjimin e lirë të kursit të këmbimit.
Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë vetëm në raste luhatjesh të mëdha të kursit, por, sipas Guvernatorit, nuk janë verifikuar kushte të tilla që do të kërkonin ndërhyrjen e autoritetit monetar në vend.
Në analizën për ecurinë e ekonomisë shqiptare, Banka e Shqipërisë konkludon sërish se ekonomia është ende nën potencialet e veta të rritjes, ndërsa afrimi me objektivin e inflacionit po frenohet nga rritja e dobët e çmimeve të importuara dhe nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit.
Megjithatë, ai tha se tendenca e përmirësimit të rritjes ekonomike ka vazhduar edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Sejko theksoi se normat e ulëta të interesit po mbështesin rritjen e huadhënies dhe të konsumit në ekonomi.
Sipas tij, në dy muajt e parë të këtij viti kredia u rrit mesatarisht me 5.8%.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1.25%.
Guvernatori Sejko tha se inflacioni për këtë vit do të jetë pranë nivelit 2.2%, ndërsa kthimi pranë objektivit 3% parashikohet të ndodhë brenda vitit të ardhshëm.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.