Lutfi Minxhozi: ‘ Vitin e kaluar 39 milion euro pasuri të sekuestruara.-Sivjet kemi objektiv ta rrisim me 20% pasurinë e konfiskuar.’
Në ‘Argument’, mbrëmjen e së enjtes, ishte i ftuar Drejtori për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit, z. Lutfi Minxhozi, për të diskutuar rreth ‘’plagës’’ më të hershme të shoqërisë sonë, atë të fajdeve! Nisur dhe nga ngjarja e sotme në qytetin e Shkodrës, gazetari Enio Civici, vendosi t’ia kushtojë këtë emision, pikërisht kësaj teme, duke sjellë kështu një pasqyrim më të detajuar të situatës në vend në lidhje me këtë fenomen, por njëkohësisht dhe si një ‘’mesazh sensibilizimi’’ kundrejt gjithë shoqërisë. Z.Minxhozi lidhur me këtë temë shprehet se :
”Fajdet janë një vepër penale më vete e cila quhet ‘’zhvatje’’, por ne nuk e kemi të përfshirë këtë në kodin penal, dhe mendoj se duhet ta rishikojmë këtë pikë. Ndërgjegjësimi që duhet ti bëjmë njerëzve në mentalitet dhe opinionin publik, është një nga etapat krysore parandaluese. Duhen ndërmarrë fushata sensibilizuese, jo vetëm nga policia, por dhe institucionet financiare si dhe media gjithashtu. Duhet të krijojmë një kulturë minimale ekonomike, pasi gjithcka vjen nga mungesa e informacionit. Sot pamë ngjarjen në Shkodër, por në të vërtetë arrestimet nuk kanë filluar ende, ngjarja e sotme është thjesht një sekuestrim! Shumë raste të tjera do kapen dhe sigurisht që do të vihen përpara ligjit.”
Sa i përket masave që qeveria ka marrë ndaj këtij problemi, Z.Lutfi deklaron se :
”Ne në strukturen e shtetit, krimin financiar e kemi prioritet. Ligji kundër krimit të organizuar vendos përpara drejtësisë cdo individ i cili jo vetëm siguron para të pista, por i investon dhe i pastron ato. Shqipëria është i vetmi vend që e ka këtë ligj në gjithë Ballkanin. Vetëm vitin e kaluar, kishim 39 milion euro pasuri të sekuestruara. Sivjet kemi objektiv ta rrisim me 20% pasurinë e konfiskuar. Kjo është pikërisht strategjia që BE ka kundër krimit të organizuar.”
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.