Macron apel për Rusinë – Duhet më shumë bashkëpunim Bruksel-Moskë
Presidenti francez, Emmanuel Macron, në një intervistë televizive i bëri thirrje Moskës zyrtare që të promovojë lidhje më të forta me Europën.
Intervistën, Macron e ka dhënë gjatë vizitës së tij në Sh.Petersburg të Rusisë. Madje, apeli duket se shkon më shumë për Europën sesa për Rusinë, pasi Macron e quajti strategjik vizionin që presidenti Vladimir Putin ka për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Europës.
Deklaratat e Macron vijnë menjëherë pas atyre se, sanksionet e Evropës ndaj Rusisë nuk do të hiqen deri sa të vihet re progres në drejtim të Ukrainës.
Vendet anëtarë të Bashkimit Europian do të mblidhen në muajin Korrik për të diskutuar mbi mundësinë e shtyrjes së sanksioneve ndaj Rusisë, të vendosura në vitin 2015 si rrjedhojë e ndërhyrjes së Moskës në konfliktin ukrainas.
Franca është një prej vendeve europiane që ka mbajtur vazhdimisht një rol disi më të moderuar sa i përket marrëdhënieve me Kremlinin, së bashku me Italinë.
Kjo e fundit ndërkohë, tashmë që është vendosur qeveria e re, po vlerëson mundësinë e ndjekjes së një linje të ndryshme nga ajo e Brukselit zyrtar në drejtim të qasjes ndaj Moskës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.