Macron fiton zgjedhjet në Francë – Zotohet se do të jetë ‘presidenti i të gjithëve’

Emmanuel Macron ka premtuar se do të jetë një “president për të gjithë” pasi siguroi fitoren në balotazhin zgjedhor të Francës.
Presidenti aktual mbajti fjalimin e tij fitues nga Champ de Mars në Paris pasi siguroi 58% të votave.
“Kjo epokë e re nuk do të jetë një vazhdim i mandatit pesëvjeçar që po përfundon, por shpikje kolektive e një metode të re për pesë vjet shërbim më të mirë për vendin tonë dhe rininë tonë”, tha Macron.
Presidenti i rizgjedhur mbërriti në qendër të Parisit i rrethuar nga gruaja e tij dhe fëmijët e anëtarëve të ekipit të tij të fushatës.
Ai shkoi në foltoren e tij nga Kulla Eifel në meloditë e Ode to Joy dhe himnin e Bashkimit Evropian.
“Dua të falënderoj të gjithë burrat dhe gratë franceze që, në raundin e parë dhe të dytë, besuan tek unë për të realizuar projektin tonë për një Francë më të pavarur dhe një Evropë më të fortë”, tha Macron para turmës.
“E di gjithashtu se shumë nga bashkatdhetarët tanë kanë votuar për mua sot jo për të mbështetur idetë që mbaj, por për të bllokuar ato të ekstremit të djathtë”, shtoi ai.
“Dhe këtu dua t’i falënderoj dhe t’u them se jam i vetëdijshëm se ky votim më detyron për vitet në vijim.
Macron u bëri thirrje gjithashtu mbështetësve të tij që të mos shajnë rivalen Marine Le Pen, e cila siguroi 42% të votave në raundin e dytë. Rreth 28% e elektoratit francez zgjodhi gjithashtu të abstenojë.
“Që në fillim ju kam kërkuar që të mos brohorisni. Sepse tani e tutje nuk jam më kandidat i një kampi por president i të gjithëve”.
“Unë e di se për shumë nga bashkatdhetarët tanë, që kanë zgjedhur të djathtën ekstreme sot, zemërimi dhe mosmarrëveshjet që i shtynë ata të votojnë për këtë projekt duhet gjithashtu të marrin përgjigje. Kjo do të jetë përgjegjësia ime dhe e atyre që më rrethojnë,” shtoi Macron.
Zgjedhjet presidenciale të Francës 2022 patën padyshim më shumë rëndësi se kurrë në mes të luftës në Ukrainë, diçka që Macron e trajtoi gjithashtu në fjalimin e tij.
“Lufta në Ukrainë është atje për të na kujtuar se ne po kalojmë kohë tragjike kur Franca duhet të dëgjojë zërin e saj, të tregojë qartësinë e zgjedhjeve të saj dhe të ndërtojë forcën e saj në të gjitha fushat. Dhe ne do ta bëjmë atë,” tha ai.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.