Macron kërkon reformim të Shengenit – Shkak, hyrja e terroristëve në BE si azilkërkues
Presidenti francez Emmanuel Macron do të donte të reformonte Shengenin si pjesë e një qasjeje të re për të luftuar terrorizmin në Europë si dhe dyfishimin e pranisë policore dhe ushtarake në kufijtë e Francës, Macron do të donte masa të reja sigurie. Presidenti francez synon t’u paraqesë propozimet e tij udhëheqësve të BE në samitin e ardhshëm në dhjetor.
“Sot ne shohim gjithnjë e më shumë njerëz që kërkojnë azil në Europë që vijnë nga vendet që nuk janë në luftë, të cilave u japim qindra mijëra viza çdo vit. Pra, ekziston një shteg që përdoret nga trafikantët, nga rrjetet e identifikuara qartë,” tha Macron.
“Detyra jonë është të ndërtojmë më mirë përgjigjen tonë të përbashkët, për të mbrojtur më mirë kufijtë tanë, për t’u përballur më mirë me këto fenomene bashkëkohore në mënyrë që të mbajmë kufijtë tanë të hapur mes nesh,” shtoi Macron.
Por nuk është hera e parë që udhëheqësit përpiqen të ndryshojnë Shengenin.
“Ne patëm një ndryshim të kodit kufitar Shengen, gjithashtu patëm krijimin e rojeve kufitare Europiane, kështu që ne kemi një kornizë ligjore që është forcuar ndjeshëm në vitet e fundit,” tha Yves Pascouau, nga think tank Res Publica.
“Përveç kësaj kornize ligjore, ne kemi parë një rritje të konsiderueshme të mjeteve operacionale, qoftë kjo çështja e Frontex, krijimi i ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë dhe tani 10,000 anëtarët e Rojeve të Kufirit Europian.”
Shtetet Anëtare gjithashtu kanë forcuar sistemet e tyre të TI në vitet e fundit. Pascouau thotë se BE duhet të fillojë duke u përqëndruar në zbatimin e plotë të rregullave ekzistuese.
Por në klimën aktuale, ai pranon se debati ka të ngjarë të përqendrohet vetëm në çështjen e mbrojtjes së kufijve të jashtëm.
“Është e qartë se ka vetëm një çështje sot që i intereson Shteteve Anëtare dhe ajo është kontrolli më i fortë i kufijve të jashtëm në Zonën Shengen dhe kthimi i emigrantëve të padëshiruar. Azili për ta është në një lloj zone lundruese ku merret në konsideratë, por kryesisht për të zvogëluar të drejtat dhe për të kufizuar procedurat, “tha Pascouau.
Ministrat e brendshëm të BE do të takohen të Premten për të diskutuar reformën e politikës së azilit dhe migracionit, si dhe luftën kundër terrorizmit, ku ata do të kërkojnë të bëjnë disa përparime.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.