Macron kthehet djathtas – Franca do të shesë 10 mld euro aksione në kompanitë publike
Ministri francez i financave, Bruno le Maire deklaroi se qeveria e re franceze ka vendosur që të shesë një pjesë të aksioneve që ka në kompanitë më të mëdha në vend. Lëvizjet e para do të fillojnë prej muajit Shtator.
Synimi i administratës së re franceze është ai që, nëpërmjet këtyre parave të financohen projektet në teknologji dhe inovacion, që është ndër fushat që Emmanuel Macron e ka vendosur si prioritet kyç të presidencës së tij. Madje këtë ai e ka premtuar edhe gjatë fushatës elektorale.
Sipas Macron, do të ngrihet një fond i posaçëm për të financuar projektet në industri dhe kërkimin shkencor. Kjo do arrihet nëpërmjet shitjes së aksioneve që shteti francez ka në minorancë në disa prej kompanive vendase.
E në fakt nuk bëhet fjalë për pak para, por për një shumë të majme.
“Unë e kam deklaruar se ne do të shesim aksionet që kemi në disa kompani publike, duke filluar prej Shtatorit. Këto kuota që ne do të shesim nuk janë strategjike dhe do të na lejojnë që të gjenerojmë një fond prej 10 miliardë euro e që do të shkojë për të financuar inovacionin”, deklaroi kreu i financave franceze.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.