Manastirliu: Ekipet mjekësore në gatishmëri për emergjencat

“Ekipet mjekësore dhe të gjitha strukturat e shëndetësisë janë në gatishmëri për të ndihmuar qytetarët në këtë situatë moti të vështirë dhe vetëm gjatë këtyre ditëve janë kryer 2900 misione shpëtimi”, deklaroi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës në qendrën shëndetësore Komsi, në Burrel.
“Kemi siguruar furnizimin me barnat e urgjencës në 92 qendrat dimërore për të gjithë sezonin e dimrit. Qendrat shëndetësore, spitalet por mbi të gjitha ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri për të shpëtuar jetë në këto ditë të motit të vështirë. Jam këtu në këtë zonë të thellë të Matit për të inkurajuar dhe mbështetur ekipet mjekësore për punën e jashtëzakonshme që po bëjmë, siç ishte rasti i nënës me fëmijën e saj të 8 që pikërisht nga Burreli u transportua me helikopter drejt Tiranës dhe sot gëzon shëndet të plotë bashkë më djalin e saj”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal edhe në spitalin e Burrelit, ku pa nga afër situatën në urgjencë dhe maternitet.
“Edhe në këto ditë të motit të vështirë, vijon patronazhimi nga mjekët e materniteteve të Tiranës në maternitetin e Burrelit, duke ju dhënë mundësi grave dhe vajzave të kësaj zone të marrin shërbimin afër vendbanimit. Investimet e nisura në infrastrukturë do të vijojnë edhe në këtë spital. Jemi duke përfunduar projektin dhe këtë vit nis një investim i rëndësishëm për rehabilitimin e spitalit të Burrelit, që do të sigurojë një standard të ri shërbimi për qytetarët”, tha Manastirliu.
Ministrja garantoi qytetarët se, as furnizimi me medikamentet e nevojshme, as angazhimi i stafeve tona në qendra shëndetësore, spitale dhe urgjenca nuk do të mungojë në këto ditë të motit të keq.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.