Marrëdhëniet Shqipëri-Gjermani – Meta: Të nxisim investitorët gjermanë, të rrisim bashkëpunimin
Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjermani, i ftuar nga homologu i tij, Frank-Walter Steinmeier. Pas pritjes ceremoniale dhe takimit zyrtar, të dy presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për mediat. Presidenti Ilir Meta u ndal veçanërisht në impaktin e rëndësishëm të “Procesit të Berlinit” për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, apo krijimin e një rajoni bashkëpunues.
“Shqipëria u kushton një rëndësi shumë të veçantë marrëdhënieve me Gjermaninë dhe kjo vizitë do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të tyre. Me shumë kënaqësi konstatoj se Presidenti Steinmeier ka një vëmendje të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Marrëdhëniet sot janë të shkëlqyera dhe të një bashkëpunimi strategjik, të cilat janë forcuar në këto 30 vjet, duke krijuar një perspektivë po aq të shkëlqyer dhe një klimë shumë të mirë për shtrirjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat.” – u shpreh Presidenti Meta.
Të dy presidentët, duke veçuar kontributin e shqiptarëve në Gjermani, vlerësuan mbylljen e procedurave të ratifikimit nga të dy palët të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore.
Presidenti Meta e siguroi presidentin Steinmeier për vazhdimësinë e zbatimin të reformës në drejtësi, si një prioritetet i qenësishëm për të ndërtuar një sistem gjyqësor funksional e për pasojë krijimin e një klimë më të mirë për bizneset dhe investimet vendase e të huaja.
Në këtë drejtim u theksua njëkohësisht nevoja e nxitjes së bizneseve dhe investitorëve gjermanë për të zgjeruar bashkëpunimin e tyre me Shqipërinë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.