Marrëveshja Shqipëri-Greqi/Manastirliu-Ksanthos: Trajtim falas për fëmijët me leuçemi

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu zhvilloi një vizitë zyrtare në Greqi, ku u prit nga homologu grek Andreas Ksanthos.
Dy Ministrat nënshkran memorandumin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve në fushën e onkologjisë për fëmijët, menaxhimit spitalor, trajnimin e personelit shëndetësor dhe shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në kuadër të projekteve rajonale.
“Kemi shumë gjëra që na bashkojnë dhe ky memorandum bashkëpunimi është një urë lidhëse për të intensifikuar bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, për trajtimin sa më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve tona, që kanë nevojë për shërbime shëndetësore”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Greqisë, Andreas Ksanthos.
“Kjo marrëveshje krijon mundësinë për trajtimin në këtë spital të 6 fëmijëve shqiptarë në vit, të diagnostikuar me leucemi, që kanë nevojë për transplant të palcës ose raste të komplikuara që kanë nevojë për një trajtim më të specializuar”, tha Ministrja Manastirliu.
Takimi u zhvillua në spitalin Aghia Sofia të fondacionit “Elpida – Marianna V. Vardinoyanis”, ku u firmos një marrëveshje e rëndësishme për trajtimin e fëmijëve shqiptarë të diagnostikuar me leuçemi dhe tumore malinje, përmes binjakëzimit të këti spitali me QSUT.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.