Mbijeton qeveria e Theresa May – Dështon mocioni i mosbesimit i thirrur nga Jeremy Corbyn
Qeveria e kryeministres Theres May, i mbijetoi mocionit të mosbesimit këtë javë. Deputetët në parlamentin britanik votuan për të mposhtur mocionin e ngritur nga lideri i opozitës Jeremy Corbyn, me 325 vota kundër dhe 306 pro.
Menjëherë pas votimit, Theresa May tha se qeveria e saj do të vazhdojë punën me Brexit dhe se është detyra e tyre për të gjetur një zgjidhje.
May mori mbështetjen e partisë së Irlandës së Veriut DUP dhe deputetëve pro-Brexit në partinë konservatore, që kishin votuar kundër paketës së Brexit të negociuar me Bashkimin Europian në të njëjtën dhomë, 24 orë më parë.
Votat e mosbesimit nga partia e punës, nacionalistët e Wellsit dhe Skocisë, demokratët liberalë dhe partia e gjelbërt, nuk ishin të mjaftueshme për të mposhtur qeverinë.
“Më bëhet qejfi që parlamenti shprehu besimin ndaj Qeverisë. Nuk i marr përgjegjësitë lehtë dhe qeveria ime do vazhdojë të punojë për Brexit. Besoj që kjo detyrë do ndahet nga çdo anëtar i parlamentit. Kam propozuar një serë takimesh mes deputetëve dhe pjesëtarëve të Qeverisë në ditët e ardhshme. Duhet të gjejmë zgjidhje që janë të negociueshme dhe ofrojnë mbështetje të mjaftueshme në parlament”, tha Theresa May.
Mocioni u thirr pas refuzimit të paketës së Brexit ditën e Martë. Nëse do të ishte votuar, qeveria aktuale do kishte 14 ditë kohë që të formonte një të re, që do të fitonte një mocion tjetër të besimit në Parlament.
Nëse nuk ndodhte, atëherë do të zhvilloheshin zgjedhje të përgjithshme. Paundi u rrit lehtë kundër dollarit, pas një rezultati që pritej gjerësisht. Analistët thonë se nëse Jeremy Corbyn mund të provojë fatin me një tjetër votë të mosbesimit ndaj Qeverisë, ai nuk pritet të ketë sukses herën e dytë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.