Mblidh 60 kupona fiskalë me vlerë 250 euro dhe rimbursohu – Fushata e tatimeve zgjat deri më 31 Korrik
Administrata Tatimore e Kosovës është duke realizuar një fushatë për rimbursimin e kuponëve fiskalë, ku qytetarët e përzgjedhur do të mund të fitojnë shuma nga 25 deri në 100 euro.
Fushata zhvillohet në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe aplikimet do të pranohen deri në datën 31 Korrik 2017.
Gjithçka që qytetarët e Kosovës duhet të bëjnë është të dorëzojnë të paktën 60 kuponë tatimorë me vlerë mbi 250 euro, për t’u bërë pjesë e shortit. Fituesit do të kompensohen me 10 për qind të vlerës së deklaruar në të gjithë kuponat.
Llogaritja është e thjeshtë, nëse dikush dorëzon 60 kupona me vlerë 500 euro, në rast se shpallet fitues, do të rimbursohet me 50 euro nga qeveria e Kosovës.
Megjithatë, Administrata Tatimore njofton se ka edhe një shumë limit kompensimi prej 100 eurosh, në mënyrë që të përfitojnë nga fushata sa më shumë individë. Edhe nëse dikush dorëzon kupona me një vlerë më të madhe se 1000 euro, fitimi i tyre maksimal do të jetë 100 euro.
Për të nxitur më tej formalizimin e ekonomisë, Kosova po aplikon edhe një ligj të ngjashëm me atë të amnistisë fiskalë në Shqipëri. Deri më 1 Shtator 2017, personat me borxhe të pashlyera ndaj Tatimeve për periudhën deri në 31 Dhjetor 2008, mund të aplikojnë për shuarjen e këtij borxhi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.