Mbyllja e bizneseve, reagon Tabaku: Ulin qepenat 45 në ditë prej taksave dhe korrupsionit
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ditën e shtunë mbi situatën ku ndodhet sipërmarrja në vend. Përmes një postimi të shoqëruar me foto, Tabaku deklaron se qeveria, e cila mohon krizën ekonomike, duhet të marrë masa.
“E kemi dëgjuar qeverinë se si mohon krizën ekonomike dhe bizneset që mbyllen. Kjo foto e dëshmon qartë situatën e biznesit në vend një fakt kokëfortë që duhet të detyrojë qeverinë t’i thërrasë mendjes”, shkruan Tabaku.
Deputetja e opozitës shton se ritmi i mbylljes së aktiviteteve të sipërmarrjes është mjaft i lartë dhe se zgjidhje për këtë problem është propozimi i Partisë Demokratike për rikthimin e taksës së sheshtë.
“Këto biznese të mbyllura janë vetëm një pjesë e vogël e atyre që mbyllen në gjithë Shqipëri. Taksat e larta, korrupsioni dhe mungesa e vizionit shtyjnë 45 biznese në ditë të ulin qepenat. Taksa e sheshtë do të krijojë mundësi të reja biznesi dhe vende pune për shqiptarët!”, deklaroi Tabaku.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.