“Më shumë të ardhura në ekonomi”, Peleshi në Vlorë: Fondet e 2018-ës do t’i çojmë në ndihmë të sekorit bujqësor

Fondet e buxhetit të shtetit, ato të Ipard-it apo Bashkimit Evropian, që pritet të hapen vitin tjetër, do të shkojnë për zhvillimin ekonomik rural. Nga qyteti i Vlorës ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi shprehu mbështetjen dhe angazhimin e qeverisë në ndihmë të sekorit prodhues, përpunues dhe agro-përpunues.
“Do të çojmë fondet e buxhetit të shtetit, fondet e Ipard-it, të Bashkimit Evropian, që presim të hapen vitin tjetër, në të gjithë zinxhirin e vlerës, nga prodhuesit, agro-përpunuesit, por dhe ekonomitë e tjera jo buqësore të fshatrave, ajo që e quajmë ndryshe edhe pjesë të zhvillimit tonë rural. Angazhohem që çdo gjë që këtij biznesi, apo biznesit në përgjithësi të përpunimit, do t’i duhet për të rritur standartin, për të rritur prodhimin, për të eksportuar më tepër, që do të thotë, për të sjellë më shumë të ardhura në ekonominë tonë, ne do te jemi të gatshëm ta bëjmë”, tha ministri.
Më tej Peleshi u ndal dhe në rolin e Agjencisë së Zhvillimit Rural, AZHBR, si pjesa kryesore e skemës kombëtare të mbështetjes në sektorin bujqësor.
“Do të mbështesin gjithë zinxhirin e vlerës, në mënyrë që subvencionet apo mbështjetja finaciare, apo fondet e garancisë përmes kreditimit të butë, të alokohen me zgjuarsi që të japin sa më shumë produkt.”
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, gjatë vizitës në Vlorë ndaloi në disa biznese eksporti ne fushen e bujqesise. Gjithashtu ka takuar dhe bashkëbiseduar me fermerë të ndryshëm nga zona e Novoselës, ku është njohur nga afër me shqetësimet dhe kërkesat që kanë këta fermerë duke iu premtuar zgjidhje.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.