Merr vrull huadhënia në Eurozonë, BQE: Në nivelin më të lartë që prej krizës, përshpejtohet agregati M3
Rritja e huasë te kompanitë në Eurozonë ka arritur nivelin më të lartë pas krizës financiare në muajin Qershor, ndërsa treguesi mbi paranë në qarkullim është rritur papritmas.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Europiane, huadhënia te korporatat jo-financiare është përshpejtuar në 4.1%, krahasuar me 3.7% rritje në Maj, që është norma më e shpejtë që prej mesit të vitit 2009.
Huaja te ekonomitë familjare ka mbetur e qëndrueshme në 2.9%, sipas raportit mujor të Bankës Qendrore Europiane. Nëpërmjet blerjes së 2.6 trilionë euro tituj borxhi në 4 vite, Institucioni në Frankfurt ka ulur kostot e huamarrjes, nxitur kredinë, me qëllimin përfundimtar të rritjes së inflacionit.
Ndërkohë që shumica e përpjekjeve kanë dhënë efekt, rritja ekonomike është ngadalësuar në muajt e fundit.
Megjithatë, papunësia ka rënë dhe rreziku i deflacionit është larguar. Kjo ka bërë që institucioni të lajmërojë mbi përfundimin e programit të blerjes së obligacioneve këtë vit, ndërkohë që normat e interesit pritet të qëndrojnë në nivelet aktuale deri në mes të 2019-ës.
Rritja vjetore e agregatit monetar M3, që reflekton pjesërisht sasinë e parasë së injektuar nga vetë BQE, u rrit në 4.4%, duke thyer projeksionet dhe kaluar normën e muajit Maj.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.