MIE hap garën për koncesionin e HEC-it “Veleshicë” – Investimi llogaritet në 5.6 mln euro, në afërsi të fshatit Radomirë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për dhënien me koncesion të një tjetër hidrocentrali, kësaj radhe në verilindje të vendit. Bëhet fjalë për HEC-in “Veleshicë”, i cili do të ngrihet mbi pellgun ujëmbledhës të lumit me të njëjtin emër.
Ky pellg, pjesë përbërëse e pellgut ujëmbledhës të lumit Drini i Zi, shtrihet kryesisht në qarkun e Peshkopisë dhe një pjesë e vogël e tij në qarkun e Kukësit. Hidrocentrali pritet të ndërtohet pranë fshatit Radomirë, duke u vendosur kështu në afërsi të vepra ekzistuese hidroenergjetike si hidrocentrali i Zall-Kalisit.
Projekti pritet të kushtojë rreth 750 milionë lekë, ose rreth 5.6 milionë euro, çka lë të nënkuptosh se do të instalohet një fuqi prej 5-15 MW.
Tenderi do të qëndrojë i hapur deri më 9 Mars 2018, ndërsa në kriteret e përzgjedhjes së fituesit pikët më të larta i kushtohen ndikimit ekologjik dhe social, si dhe fuqisë së instaluar. Ndjekin për nga rëndësia kriteret si vlera koncesionare, pra tarifa në % e energjisë së prodhuar që do të mbajë shteti, koha e zbatimit të punimeve, si dhe skema e lidhjes me centralin e sistemit elektroenergjetik.
Shoqëria që do të shpallet fituese do ta ndërtojë dhe operojë këtë vepër energjetike për 35 vite, përpara se t’ia transferojë shtetit.
Hapja e këtij tenderi vjen menjëherë pas shpalljes së fituesit për dy hidrocentrale në qarkun e Gjirokastrës, “Suha” dhe “Suha e Sipërme”, të cilat do të kenë një fuqi të përbashkët të instaluar prej 10.6 MW.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.