Miniera e Bulqizës, projekt për ndërtimin e një miniere të re – Në mars përfundon dhe investimi për zhvillimin e thellësisë

Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato dhe zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enis Aliko kanë kryer sot një inspektim në Minierën e Bulqizës, ku ka zhvilluar edhe takime me punonjësit e administratorët.
Në qendër të bisedës me drejtuesit dhe teknicientët e minierët ishte perspektiva e shtimit të numrit të të punësuarve në këtë minierë. Kjo pritet të realizohet përmes një projekti për ndërtimin e një miniere të re, si dhe zhvillimin e asaj ekzistuese.
“Patëm rastin të shprehnim vullnetin e Qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të minierave dhe mineraleve nëpërmjet projekteve të cilat jo vetëm garantojnë punësimin më të lartë në zonë, por sigurojnë dhe pagesa dinjitoze për punonjësit e minierës”, tha Qato.
Deri më sot investimet në minierë nuk kanë munguar, por kanë qenë të orientuara në zhvillimin e thellësisë, projekt i cili pritet të mbarojë në mars 2018. Ky investim konsiderohet si thelbësor sa i përket krijimit të aksesit në nivele të ndryshme, por mbi të gjitha për shtimin e jetëgjatësisë së minierës.
Sipas llogaritjeve të ekspertëve, nga viti 1948, nga miniera e Bulqizës janë nxjerrë mbi 15 milionë ton krom, ndërsa investime do të bëjë të mundur marrjen e rezervave shtesë prej rreth 2.1 milionë ton krom.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.