Ministria e Energjisë dhe BERZH, memorandum për zhvillimin e energjisë diellore
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të asistojë Ministrinë e Energjisë në organizimin e ankandeve për impiantet e energjisë diellore.
Dy institucionet kanë nënshkruar të mërkurën një Memorandum Mirëkuptimi për nxitjen e investimeve në gjenerimin e kësaj forme energjie. Në memorandum përcaktohet zhvillimi i projekteve përmes një sistemi me ankand, çka do të rrisë interesin e investitorëve të huaj në këtë fushë.
“Qëllimi është që ne, përmes BERZH-it, nëpërmjet një procesi transparent e të bazuar në legjislacionin e ri për energjitë e rinovueshme të kemi mundësi që edhe në Shqipëri të sigurojmë financime në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike nga dielli, siç kemi plane edhe për prodhimin e energjisë nga era”, tha Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.
Ndërkohë, Drejtori i BERZH në vendin tonë, Matteo Colangeli theksoi rëndësinë që ka nënshkrimi i këtij memorandumi për projektet për gjenerimin e energjisë diellore në Shqipëri.
“Qeveria dhe BERZH kanë vendosur të bashkëpunojnë për zhvillimin dhe implementimin e një platforme për alokimin tek investitorët privatë përmes një proçesi kompetitiv tenderimi mundësinë për ndërtimin, zotërimin dhe operimin e projekteve të energjisë diellore në Shqipëri duke krijuar një kapacitet të kombinuar prej 50-100 MË”, tha Colangeli.
Investimet në prodhimin e energjisë diellore do të ndikojnë në rritjen e prodhimit të energjisë, duke plotësuar kërkesat e vendit për energji dhe duke ulur varësinë energjia hidrike.
Infrastruktura dhe energjia janë prioritet i BERZH në vendin tonë, duke përbërë sektorët më të mëdhenj të investimimeve 1 miliard euro.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.