Monitorimi i Kontratave të Prokurimit Publik – AKSHI shpall tenderin, fondi 193.9 milionë lekë
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur një tender me fond 193.9 milionë lekë, në Agjencinë e Prokurimit Publik. Fondi i vënë në dispozicion të projektit do të shkojë për ngritjen e një sistemi elektronik për menaxhimin dhe ndjekjen e kontratave të APP- së dhe Autoritetet Kontraktore.
Sipas detajeve të mëtejshme të tenderit, Autoritetet kontraktore dhe/ose institucionet përfituese aktualisht i menaxhojnë kontratat në mënyra të ndryshme, pasi nuk ekziston një metodologji unifikuese e hartuar për këtë qellim, sa i takon kryesisht hapave që duhet të ndiqen nga AK apo dokumentacionit që duhet mbajtur në kuadër të këtij procesi.
“Shpeshherë, duke pasur parasysh volumin apo mungesën e një plani të detajuar mbi monitorimin e një kontrate, ky proces shoqërohet me përsëritje dhe mbivendosje përpjekjesh nga punonjësit përgjegjës apo ndjekësit, duke sjellë ndikime negative apo vonesa në realizimin e kontratës” specifikohet më tej.
Qëllimi i këtij tenderi, referuar të dhënave, është përmirësimi i menaxhimit të punës së brendshme për kontratat, rritja e transparencës në monitorim dhe menaxhim, ulja e riskut për zgjatje të ciklit të kontratave nëpërmjet monitorimit në kohë reale, etj.
Sistemi do të ngrihet brenda një afati 12 mujor, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.