Moody’s zhvlerëson sërish Turqinë – E ul më tej drejt territorit “mbeturinë”, tregjet nuk reagojnë

Moody’s ka ulur vlerësimin sovran të Turqisë, duke e “zhytur” më tej drejt territorit të quajtur “mbeturinë”, dhe theksuar një dobësim të vazhdueshëm të institucioneve ekonomikë dhe politike, si dhe rritjen e rreziqeve nga deficiti i madh i llogarisë korrente.
Vlerësimi u ul me një notë në Ba2, që hyn në gradën spekulative dhe përmban rrezik të madh të kreditit.
“Qeveria është fokusuar ende në masat afat-shkurtra, duke cenuar politikat monetare efektive dhe reformat ekonomike”, deklaroi Moody’s.
Sipas agjencisë, nevojat e borxhit dhe rifinancimit të vendit janë përkeqësuar. Zhvlerësimi nuk shkaktoi panik në tregjet financiarë të Turqisë. Moody’s e kishte ulur vlerësimin në gradën spekulative për Turqinë që prej Shtatorit 2016 prej grushtit të shtetit, gjë që përkeqësoi ndjesinë e investitorëve ndaj një prej tregjeve në zhvillim më premtues gjatë asaj kohe.
Sipas bankierëve në vend, zhvlerësimi mund të shkaktojë pak presion në tregjet e Turqisë, por nga Ba1 në Ba2, nuk ka ndonjë diferencë rrënjësore, pasi këto nota i përkasin të njëjtës nën-kategorie.
Sipas analistëve, ky vendim reflekton edhe ecurinë e marrëdhënies Turqi-SHBA, pasi situata ekonomike nuk ka ndryshuar shumë krahasuar me një vit më parë. Aktivet e Turqisë kanë treguar një reagim të limituar.
Lira ra lehtë në 3.8075 kundër dollarit, nga 3.8035 që ishte përpara vendimit, ndërsa indeksi kryesor i Stambollit, pësoi rritje me 0.13% në hapje të tregtisë. Yieldi i titujve 10-vjeçar të Turqisë u rrit në 12.28%, nga 12.20%.
Moody’s rriti perspektivën për vendin në të qëndrueshme nga negative që e kishte ulur në Mars 2017.
Ndër agjencitë e tjera, S&P ka një vlerësim BB për Turqinë, në linjë me Moody’s, ndërsa Fitch e mban gjithashtu në territor “mbeturinë” Turqinë, por në një notë më të lartë se dy agjencitë e tjera.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.