Mosrespektimi i sinjalistikës rrugore, policia nis aksionin në kryeqytet – 64 gjoba në dy orë
Policia Rrugore e Tiranës ka nisur ditën e mërkurë një aksion për ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që nuk respektojnë sinjalistikën rrugore.
Efektivët rrugorë kanë marrë shkas nga fakti që në disa kryqëzime të qytetit drejtuesit injorojnë sinjalizimin rrugor vertikal. Kjo krijon trafik të rënduar dhe konfuzion në rrymat e trafikut, çka shpeshherë rezulton në aksidente rrugore dhe konflikte fizike.
Aksioni u shtri mëngjesin e sotëm në kryqëzimin pranë QSUT në rrugën e Dibrës, ku pjesa më e madhe automjeteve që dalin nga spitali vazhdojnë në drejtim të kryqëzimit me Unazën pa respektuar tabelat detyruese për kthimin djathtas.
Policia vendosi gjoba edhe për drejtuesit që vijnë nga Zogu i Zi dhe kthehen majtas për tek rruga Fortuzi në kryqëzimin me rrugën e Durrësit, pa respektuar tabelën e cila detyron të vazhdojnë drejt.
Në rreth dy orë, efektivët e rrugores konstatuan dhe proceduan administrativisht 64 drejtues mjetesh në shkelje të Kodit Rrugor.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.