“Muri” i eksportit të açiugeve! Ndriçimi i një industrie dhe terri i kuotave të saj

Pakkush e di që fasoni ushqimor është po aq i zhvilluar sa dhe fasoni i tekstilit dhe përbën një përqindje të konsiderueshme të eksporteve tona (shumë prej të cilave ‘Made in Albania’) dhe është një faktor i rëndësishëm në punësimin masiv, veçanërisht në zonat skajore me probleme të mëdha në papunësi.
Një pjesë e rëndësishme e këtij sektori është përpunimi i specieve të vogla pelagjike dhe më specifikisht i açiugeve. Produkt ky pak i përdorur në vendin tonë, por shumë i pëlqyer në vendet e tjera.
I filluar rishtazi si një aktivitet prodhues mbi 10 vjet më parë, ku u përcaktuan dhe kuotat e para për vendin tonë, tanimë kjo industri ka pësuar një zhvillim aq të vrullshëm duke u bërë kështu një faktor i rëndësishëm në rajon e më gjerë. Së fundmi, shteti ynë është përcaktuar si vendi me industrinë më të madhe të përpunimit të peshkut në Europën Lindore, industri kjo që kërkon prej kohësh të lirohet nga zinxhirët e kuotave që e kanë bllokuar zhvillimin e mëtejshëm të saj.
Kuotat e eksportit të açiugeve
Për të kuptuar problemin kthehemi disa vite më parë, kur Shqipëria rreth viteve dymijë negocion kuotat e para për të eksportuar produkte të përpunuara të specieve të vogla pelagjike, kuota këto që kanë patur disa rishikime deri në vitin 2014, por që më pas pavarësisht nevojës për rritjen e tyre, kjo nuk ndodhi, duke sjellë kështu dhe një stopim të progresit të arritur deri në atë moment.
VITI | 2013 | 2014 | 2015 | 2016 | 2017 |
KUOTA NË TON | 1200 | 1400 | 1600 | 1600 | 1600 |
Në parim, marrëveshja ka qenë që kuotat të rriten çdo vit nëse në vitin paraardhës janë arritur kuotat limit nga subjektet eksportuese, por për paaftësi ose pazotësi të administratës sonë për të mbrojtur mirëfilli në BE për një të drejtë legjitime që i takon kompanive tona, kjo nuk u arrit. Po përse tejkalimi i kuotave është kaq shqetësues?!
Në rast se subjekti eksportues i këtij produkti kërkon të eksportojë drejt Bashkimit Europian mbi kuotat e lejuara duhet të paguajë një taksë prej 25% mbi vlerën e shtuar për çdo ton shtesë!
Kjo taksë suplementare mbi produktin është shkatërruese për kompanite që operojnë nën regjimin e përpunimit aktiv pasi në kontratat e lidhura me klientët çmimi është një nga faktorët kyç për ta përfituar kontratën. Fasoni pikën e vetë më të fortë ka pikërisht çmimet më të ulëta, për të cilat ne kemi arritur gjatë viteve të fundit t’i marrim dhe punën vendeve të rajonit e më gjerë.
Dëmi në imazh dhe veçanërisht dëmi ekonomik nuk rëndon vetëm në kompanitë të cilat janë të detyruara në fund të vitit të ndalojnë veprimtarinë për shkak të përmbushjes së kuotave, të cilat arrihen në fund të vitit, kohë në të cilën dhe kërkesa për këtë produkt është maksimale. Por, dëmi ekonomik i kompanive passjell probleme monetare dhe te mijëra familje, të cilave iu ndërpriten të ardhurat për shkak të pezullimit të punës.
Në pritje të negociatave
Prej vitesh biznesi dhe organizatat që e përfaqësojnë atë kanë ngritur problemin e rinegocimit të kuotave të açiugeve ku është kërkuar jo vetëm një dyfishim i tyre deri në masën 2500 tonë në vit, ose të hiqet totalisht kuota, masë e cila nuk ekziston në asnjë vend të Mesdheut, as dhe në vendet që nuk janë kandidatë për në Bashkimin Europian. Kuota për Shqipërinë, që u vendos fillimisht si një masë paraprake për të stimuluar krijimin e një industrie të sigurtë, është kthyer tashmë në një masë diskriminuese ndaj njërit prej vendeve i cili përpunimin e këtij produkti e ka kthyer në një kulturë më vete.
Në mars të këtij viti, ministri i Bujqësisë, z.Panariti pati një komunikim me presidentin e Komisionit të Bujqësisë pranë Bashkimit Europian z.Paolo De Castro, ku u sigurua se rinegocimi i kuotave do të bëhet i mundur së shpejti. Presim tanimë që mbrojtja, promovimi dhe zhvillimi i industrisë agropërpunuese të mos bëhet më vetëm duke u krenuar me shifrat e larta të eksportit të siguruara nga kompanitë private, por gjithashtu ministritë e linjës të bëjnë detyrën e tyre, duke siguruar kushte të përshtatshme për këto kompani të zhvillojnë potencialet e tyre dhe të kenë një trajtim dhe të drejta të njëjta në rajon dhe më gjerë.
Esmeralda Ballesha/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.