Nafta bie ndjeshëm – Trump kërcënon Kinën me tarifa prej 200 mld USD

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie gjatë sesionit të sotëm, me naftën Brent që ka rënë me rreth 2 dollarë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi se do të vendosë tarifa të reja ndaj Kinës. Gjithashtu, çmimet po gjenden nën presion për shkak se në Libi është rihapur porti kryesor ku transportohet nafta.
Deklarata e Trump se do të vendosë tarifa prej 200 miliardë dollarë produkte kineze i ka rrëzuar të gjitha lëndët e para dhe tregjet e aksioneve, pasi lufta tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës është intensifikuar edhe më tej.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 76.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 73.3 dollarë për fuçi.
Rënia u thellua edhe më tej, pasi portet kryesore në Libi u rihapën. Aktualisht, prodhimi në këtë vend ka rënë në rreth 527,000 fuçi në ditë nga 1.28 milionë fuçi në shkurt të këtij viti.
Në anën tjetër, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, deklaroi se Uashingtoni po konsideron kërkesat e disa vendeve, që të përjashtohet nga sanksionet ndaj Iranit dhe të vijojnë të blejnë naftën e këtij vendi, edhe pas muajit nëntor. Më herët, Shtëpia e Bardhë deklaroi se, synon të ndalojë të gjitha eksportet e Iranit, duke filluar nga data 4 nëntor.
Ndërkohë, referuar të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat ranë me 6.8 milionë fuçi gjatë javës së kaluar. Analistët e anketuar nga Reuters parashikonin një rënie me 4.5 milionë fuçi.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.