Nafta, humbje javore prej mbi 6% – Varianti Delta kërcënon të dëmtojë kërkesën globale
Nafta po tregtohet në nivelin më të ulët në 3 muajt e fundit, në sesionin e sotëm dhe pritet të publikojë humbje javore prej rreth 6%, për shkak të rikthimit të kufizimeve në shumë vende të botës, sidomos në ato që kanë një normë të ulët të vaksinimit. Edhe rritja e dollarit amerikan në nivelin më të lartë në 9 muajt e fundit, përballë shportës me monedhat kryesore ndërkombëtare, po ushtron presion mbi çmimet.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 64 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ra me 2.7%. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66.5 dollarë për fuçi, pas humbjeve me 2.6% një ditë më parë. Të dyja kontratat po tregtohen në nivelin më të ulët që nga maji i këtij viti. Kina po vendos kufizime të reja, sipas politikës së saj “zero tolerancë” ndaj koronavirusit, që po ndikon zinxhirin global të transportit dhe të furnizimit.
Edhe në Australi dhe Zelandën e Re, autoritetet kanë vendosur kufizime për shkak të rritjes së infektimeve me variantin Delta. Gjithashtu, kërkesa pritet të ngadalësohet si pasojë e përfundimit të sezonit të pushimeve verore në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Analistët deklarojnë se sekori i aviacionit mbetet komponenti më i dobët në kërkesën globale dhe rreziqet që vijnë nga kufizimet e mëtejshme në fluturimet e brendshme dhe ndërkombëtare për shkak të variantit Delta, do të jenë një variabël i rëndësishëm për naftën, në gjysmën e dytë të këtij viti.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.