Nafta i rikthehet fitimeve – Trump i bën thirrje OPEC të ulë çmimet
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje në sesionin e sotëm, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të sesionit të kaluar, që u ndikuan nga komentet e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili i kërkoi OPEC të ulë çmimet e naftës, në vigjilje të takimit në Algjeri. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 79 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 70.3 dollarë për fuçi.
Në një koment në Twitter, Donald Trump i bëri thirrje Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës të ulë çmimet, duke shtuar se “karteli nuk do të jetë i sigurtë nëse vijon të mbështesë çmimet”. OPEC dhe aleatët do të takohen të hënën në Algjeri për të diskutuar politikat e furnizimit, në një kohë që eksportet nga Venezuela dhe Irani po bien ndjeshëm dhe po rrisin çmimet.
Nafta Brent po tregtohet në pranë 80 dollarëve për fuçi për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me sanksionet amerikane ndaj Iranit, që hyjnë në fuqi në 4 nëntor. Në këtë situatë, OPEC dhe aleatët e tjerë, deri tani nuk kanë shfaqur shenja se mund të arrijnë një marrëveshje për rritjen e prodhimit, madje Arabia Saudite sinjalizoi se është e kënaqur edhe me çmime mbi 80 dollarë për fuçi.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.