Nafta tregtohet e qëndrueshme – Rriten rezervat dhe prodhimi në SHBA
Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht edhe në sesionin e sotëm, por megjithatë po gjenden nën presion për shkak të rritjes së rezervave dhe prodhimit rekord në SHBA.
Këto të dhëna kanë eklipsuar edhe marrëveshjen e OPEC dhe Rusisë për uljen e prodhimit me 1.8 milionë fuçi në ditë. Gjithsesi, humbjet po kufizohen nga mundësitë për rikthimin e sanksioneve ndaj Iranit nga SHBA.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 73.3 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 67.9 dollarë për fuçi.
Administrata amerikane për Informimin mbi Energjinë deklaroi se, rezervat e naftës në SHBA u rritën me 6.2 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, në totalin e 435.96 milionë fuçive, gjatë javës që u mbyll më 27 prill, niveli më i lartë për këtë vit.
Gjithashtu, edhe prodhimi u rrit në një rekord të ri prej 10.62 milionë fuçi në ditë. Tashmë, Shtetet e Bashkuara prodhojnë më tepër se, Arabia Saudite që është eksportuesi më i madh në botë i naftës.
Vetëm Rusia prodhon më shumë se SHBA, rreth 11 milionë fuçi në ditë. Analistët mendojnë se, Shtetet e Bashkuara mund ta kalojnë edhe Rusinë shumë shpejt.
Ndërkohë, kompania shtetërore në Arabinë Saudite, Aramco, deklaroi se ka rritur çmimin e naftës për qershorin, për klientët aziatikë me 70 cent për fuçi, në nivelin më të lartë që nga gushti i vitit 2014.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.