Nafta zgjeron humbjet – Ndikon rritja e dollarit dhe prodhimit në SHBA
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie gjatë sesionit të sotëm, për shkak të forcimit të dollarit amerikan dhe pritshmërive për një rritje të mëtejshme të prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 61 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 64.6 dollarë për fuçi.
Ndërkohë, Reuters parashikon se çmimi i naftës Brent do të bjerë deri në nivelin e poshtëm teknik prej 63.92 dollarë për fuçi, ndërsa niveli i sipërm është 64.41 dollarë.
Tregtarët shprehen se, rënia e çmimeve është udhëhequr nga forcimi i dollarit amerikan, që dëmton kërkesën për naftë, pasi i bën importet e denominuara në dollarë më të shtrenjta për vendet që përdorin monedha të tjera.
Indeksi që mat dollarin amerikan, përballë 6 monedhave kryesore ndërkombëtare, u rrit për të dytin sesion me radhë, duke u tërhequr nga niveli më i ulët në 3 vite, të regjistruar javën e kaluar.
Gjithashtu, edhe rritja e prodhimit në SHBA mbi 10 milionë fuçi në ditë, po ushtron presion mbi çmimet.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së prodhimit nga SHBA, tregu në përgjithësi vijon të jetë fortë, i ndikuar edhe nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, që ka ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë nga janari i 2017 deri në fund të këtij viti.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.