Ndërgjegjësimi i maturantëve/ Zgjedhjet, Neukirch: Vendosni vetë për të ardhmen, duke u bërë pjesë
Rreth 35 mijë maturantë pritet të bëhen pjesë e votimeve në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit. Në kuadër të këtij procesi, ka nisur një fushatë me mesazhe sensibilisuese në 365 shkollat e mesme në të gjithë vendin. Claus Neukirch, shef i zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë gjatë një ore praktike në shkollën e mesme Ismail Qemali në kryeqytet , ftoi të rinjtë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre duke shfrytëzuar të drejtën e votës.
Sipas drejtorit të Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase numri i të rinjve që marrin pjesë në votim është rritur nga viti në vit. Tase shtoi se të rinjtë po ndërgjegjësohen për të shmangur shitjen e votës.
Sipas shifrave zyrtare në zgjedhjet e 25 qershorit pritet të votojnë për herë të parë 136 mijë votues te rinj.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.