Ndriçohet Bulevardi i Ri, Veliaj: Segmenti i parë, gati në muajin Maj

Muaji Maj do ta gjejë kryeqytetin me një segment shtesë në dispozicion të qytetarëve, i cili i përket një prej projekteve më strategjike. Segmenti i parë i Bulevardit të Ri të Tiranës do të hapet si për kalimtarët, ashtu edhe për makinat, ndërsa aktualisht po i jepet dora e fundit detajeve të projektit, si mbjelljes së pemëve dhe vendosjes së ndriçimit.
“Kemi ecur shumë me punimet në Bulevardin e Ri, duhen edhe pak javë derisa të hapet parkingu i madh nëntokësor. Duke filluar nga maji, do të hapim për përdorimrreth 400-500 metrat e para të Bulevardit, për të siguruar edhe hyrjen në parkim për ata që kanë punë në zonën e ish Stacionit të Trenit”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Bulevardi i Ri do jetë një hapësirë që respekton ata që duan të ecin me makina, si dhe kalimtarët apo edhe ata që duan të pushojnë në gjelbërimin që e rrethon.
“Është konceptuar shumë i ngjashëm me bulevardet ndoshta më të mira sot në Europë, si Champs-Elysee, etj, ku pjesa qendrore i kushtohet makinave, ndërsa po aq hapësirë i kushtohet këmbësorëve, kryesisht për korsi biçikletash dhe për të gjithë ata që do të duan të shëtisin e të shijojnë gjelbërimin që është konturuar në formë lulishtesh lineare, gjatë gjithë gjatësisë së bulevardit”, përfundoi kreu i bashkisë.
Bulevardi i Ri i Tiranës është një ndër projektet më të rëndësishme për kryeqytetin, që do të çlirojë ndjeshëm trafikun dhe do të krijojë një pol të ri ekonomik.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.