Ndryshojnë rregullat e programeve të punësimit – Më shumë përfitues përmes praktikës profesionale, subvencionohet paga dhe kontributet

Qeveria ka ndryshuar rregullat e programit të nxitjes së punësimit përmes praktikave profesionale duke i lehtësuar ato, me qëllim që të integrojë sa më shumë punëkërkues të papunë në treg. Sipas ndryshimeve në vendimin ekzistues, të botuara në Fletoren Zyrtare, nëse deri më tani të drejtë përfitimi kishin të të gjithë punëkërkuesit e papunë të regjistruar dhe aktivë, për jo më pak se 3 muaj në zyrën e punës, tashmë ky detyrim është ulur në një muaj.
Po ashtu, bizneset që aplikojnë në këtë program nuk duhet të nuk duhet të kenë pakësuar numrin e të punësuarve, duke reduktuar fuqinë punëtore brenda 2 muajve të kaluar. Deri më tani ky afat ka qenë 4 muaj. Një tjetër ndryshim, ka të bëjë me përfshirjen e të rinjve që janë diplomuar edhe në universitetet private në këtë program.
Konkretisht në vendim thuhet se “Programi i praktikave profesionale ka si qëllim të garantojë tranzicion të shpejtë në tregun e punës, në të njëjtën fushë ose në një fushë të ngjashme me atë, në të cilën ka studiuar i diplomuari ose nxënësit e diplomuar në shkollat e mesme profesionale publike apo private, për një kohëzgjatje 6-mujore” thuhet në vendim.
Përfitues të këtij programi janë të gjithë punëkërkuesit e papunë, të cilët janë të sapodiplomuar, deri në 36 muajt e fundit pas diplomimit, të cilët janë regjistruar si punëkërkues të papunë. Punëdhënësit paraqesin kërkesën për përfshirjen në program nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke ngarkuar dokumentet e nevojshme.
Programi subvencionin, kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesën e kontributeve të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë gjithë kohëzgjatjes së formimit, të kompensuara çdo muaj; financimin e pagës në shumën 100 (njëqind) % të pagës minimale në shkallë vendi, të kompensuar çdo muaj; kontributet e detyrueshme shoqërore dhe për tetë muajt e ardhshëm, në rastet, kur, pas përfundimit të formimit nëpërmjet punës, punëdhënësi lidh kontratë punësimi të paktën tetëmujore me punëmarrësin pas përfundimit të programit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.