Në 8 vite janë djegur 88 mijë hektarë pyje! – Studimi/Shifrat e publikuara nga INSTAT rezultojnë 76 % më të ulta

Në 8 vite, Shqipëria ka humbur afro 88 mijë hektarë pyjë dhe kullota si pasojë e zjarreve. Të dhënat e Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret e Pyjeve (EFFIS), përgënjeshtrojnë shifrat e bëra publike nga INSTAT, sipas të cilave përgjatë periudhë 2012-2019, janë djegur rreth 21 mijë hektarë pyje dhe kullota. Diferenca e mospërputhjes së të dhënave, arrin në -76 %. Shifrat janë krahasuar dhe bërë publike në studimin sektorial të Ministrisë së Bujqësisë dhe GIZ mbi sektorin pyjor në vend.
Sipas dokumentit, studimet kanë treguar se 29 për qind e këtyre zjarreve në pyje janë shkaktuar nga pakujdesia; 61 për qind nga faktorë të panjohur; 9 për qind me zjarrvënie; dhe vetëm 1 për qind nga ngjarje të pazakonta dhe rrufe. Megjithatë, bëhet me dije se edhe ato zjarre pyjore të klasifikuara si “të shkaktuara nga faktorë të panjohur” mund të konsiderohen se janë nisur si rezultat i aktivitetit njerëzor.
Ato klasifikohen në “faktorë të panjohur” pasi shkaku i saktë nuk dihet, por gjithsesi mund të konkludohet se një pjesë e madhe e zjarreve në pyje në Shqipëri janë shkaktuar nga aktivitetet njerëzore. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të monitorimit disavjeçar, dëmtuesit dhe sëmundjet prekin rreth 135 000 ha çdo vit (ose 13 për qind të sipërfaqes pyjore të vendit). Më problematike janë sëmundja e pishës dhe sëmundja e ahut të cilat dëmtojnë më së shumti pyjet. Referuar dokumentit, pyjet e Shqipërisë janë një nga sektorët në Evropë me nevojën më të madhe për përmirësim. Mbrojtja nga zjarri është një funksion krejtësisht i ri i pushtetit vendor, i cili është decentralizuar pa asnjë analizë paraprake të aftësisë vendore për të përmbushur këtë funksion.
Dëmet e shkaktuara nga njeriu si pasojë e praktikave të dobëta të menaxhimit, mbishfrytëzimit të burimeve drusore, prerjeve të paligjshme dhe ndotjes nga burime të ndryshme si dhe mbikullotjes janë shkaqe të tjera të dëmtimit të sipërfaqeve pyjore në vend. Studimi nxjerr në pah se qasje të reja për menaxhimin e pyjeve janë të nevojshme për t’u marrë me problemet mjedisore dhe për të përmbushur nevojat aktuale të shoqërisë në lidhje me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.