Në Shqipëri rruga vret – Aksidentet, dy herë më shumë se mesatarja e BE, të tretët në Europë
Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se, në Shqipëri në vitin 2016 janë regjistruar plot 94 viktima nga aksidentet rrugore, për çdo 1 milionë banorë. Kjo normë flet për një situatë alarmante po ta krahasojmë më vendet e Bashkimit Europian.
Në krahasim me të 28 vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria renditet pas Bullgarisë dhe Rumanisë, me 99 dhe 97 viktima për çdo 1 milionë banorë, vetëm nga aksidentet rrugore. Në të gjithë Bashkimin Europian, mesatarja fiksohet në 50 viktima për 1 milionë banorë. Pra, me një shifër thuajse dy herë më të lartë se mesatarja e BE—së, në Shqipëri flitet për një situatë alarmante.
Të dhënat e përditësuara të Instat ndërkohë flasin për një situatë të ngjashme edhe gjatë këtij viti, por me një rënie të lehtë të numrit të viktimave, çka do të thotë se, Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në krye të listës së vendeve që shkaktojnë më shumë viktima në rrugë nga aksidentet.
Suedia raporton numrin më të ulët të viktimave rrugore për 1 milion banorë, 27 në vit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.