Nënshkruhet kontrata e fundit me Voltalia për fotovoltaikun e Karavastasë, Balluku: Nisim punimet, zgjasin 24 muaj
Ministria e Energjisë njoftoi se është nënshkruar kontrata e fundit me kompaninë franceze Voltalia, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve për parkun fotovoltaik të Karavastasë. Njoftimin e bëri vetë ministrja Belinda Balluku në hapjen e garës ndërkombëtare për ndërtimin e parkut të dytë në Spitallë të Durrësit.
Balluku tha senë këtë mënyrë, i hapet rrugë nisjes së punimeve që do të zgjasin 24 muaj. marrëveshja parashikon se OSHEE do të blejë 70 megavat nga ky park ndërsa pjesa tjetër do të tregtohet në treg të lirë.
Kompania Voltalia, me kapital 100% francez është shpallur fituese e ankandit për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë me një fuqi të instaluar prej 140 MW, teksa çmimi i ofertuar për blerjen e energjisë është 24.89 euro/MW.
Ky është çmimi me të cilin shteti shqiptar garanton blerjen e energjisë elektrike për një periudhë 15-vjeçare për 70 MW, ndërkohë që 70 MW të tjerë do të mund të tregtohen nga kompania në treg të lirë. Gjatë hapjes së ofertave ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e ka konsideruar një çmim rekord për parqet energjetike, jo vetëm në rajon, por edhe në botë.
Investimi i kompanisë do të jetë mbi 100 milion euro, ndërkohë që kohëzgjatja e kontratës do të jetë 30-vjeçare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.