Nga sot nis aplikimi i uljes së TVSH për turizmin – Hyn në fuqi ligji i ri. Kur plotësohet formulari i deklarimit të pagesës?

Sot zyrtarisht nis aplikimi i uljes së TVSH-së së turizmit. Ligji Nr.71/2017 datё 27.04.2017 “Për njё shtesё nё Ligjin Nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, sot ka hyrë në fuqi pas 15 ditësh nga botimi në “Fletoren Zyrtare”.
“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind” thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë nga ana e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur pak ditë më parë se “Formulari i Deklarimit e Pagesës së TVSH-së (FDP), i ndryshuar, do të përfshijë periudhën tatimore Qershor 2017, e cila duhet të deklarohet deri në datën 14.07.2017”.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.