Ngadalësohet industria gjermane – Bie prodhimi gjatë Shtatorit, jo shqetësim për ekonominë

Prodhimi industrial në Gjermani u regjistrua në rënie gjatë muajit Shtator, por pavarësisht kësaj, prodhimi në sektor rezulton në rritje gjatë tremujorit të tretë të vitit, me 0.8% dhe do të rritet edhe më tej gjatë muajve në vijim, thotë Ministria e Ekonomisë në vend.
Prodhimi industrial ra kështu me 1.6% gjatë muajit Shtator, pas një rritje me plot 2.6% gjatë muajit paraardhës, që ishte dhe rritja më e madhe në 6 vite. Pritshmëritë e tregjeve dha analistëve flisnin për një rënie me vetëm 0.8%.
Rënia e ndjeshme gjatë Shtatorit vjen kryesisht si pasojë e prodhimit mjaft të ulët të mallrave kapitale. Por, ministria thekson se, aktiviteti industrial ka mbetur mjaft i gjallë dhe se prodhimi u rrit me 0.8% gjatë tremujorit të tretë në tërësi.
“Në tërësi, prodhimi industrial duhet të vijojë të zgjerohet në muajt në vijim”, thotë ministria. Sa i përket porosive industrial ndërkohë, të dhënat e fundit flasin për një rritje të papritur me 0.8% gjatë Shtatorit, kryesisht si pasojë e kërkesës së lartë nga vendet e Eurozonës.
Pavarësisht të dhënave të fundit, asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket ecurisë së ekonomisë më të madhe të Europës, që projektohet të rritet me një normë pranë 2% gjatë këtij viti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.