Ngadalësohet inflacioni në Eurozonë – Bie në 1.2% në Prill, ngre dyshime mbi heqjen e stimujve monetarë
Inflacioni në Eurozonë është ngadalësuar në muajin Prill, duke shtuar vështirësitë e Bankës Qendrore Europiane për të hequr stimujt monetarë më vonë gjatë vitit. Eurostat vlerësoi se inflacioni në 19 vendet e valutës së përbashkët u ngadalësua në 1.2% në Prill me bazë vjetore, nga 1.3% që ishte në muajin Mars.
Ekonomistët prisnin që norma të mos ndryshonte. Të dhënat e dobëta vijnë pas rezultateve zhgënjyese mbi PBB, eksportet dhe treguesit e ndjesisë, gjë që nënkupton se rritja ekonomike e Eurozonës ka arritur majën në vitin 2017.
Këto sinjale vijnë në një kohë të vështirë për politikëbërësit e BQE, të cilët po debatojnë nëse do të përfundojnë skemën e blerjes së obligacioneve prej 2.55 trilionë euro këtë vit. Programi u prezantua 3 vite më parë për të rimëkëmbur ekonominë gjatë asaj kohe dhe hequr kërcënimin e deflacionit, duke mbushur sistemin financiar me para.
Programi skadon në Shtator dhe politikëbërësit do të vendosin këtë verë nëse do ta përfundojnë apo jo. Megjithatë, inflacioni ka dështuar të rritet sipas pritshmërive gjatë viteve të fundit dhe në muajin Prill, nuk e arriti projeksionin e bankës në rreth 1.5%.
Duke hequr komponentët e luhatur të ushqimit dhe energjisë, inflacioni bazë u ngadalësua në 1.1% nga 1.3% që ishte një muaj më parë. Euro vazhdoi rënien dhe interesat e borxhit ranë, ndërkohë që investitorët ndryshuan pritshmëritë për normalizimin e politikave, pas publikimit të të dhënave.
Ekonomia e Eurozonës u ngadalësua në 0.4% në tremujorin e parë, nga 0.7% në fund të 2017-ës. Megjithatë, disa politikëbërës kanë argumentuar se të dhënat fillestare nuk janë të qëndrueshme.
Presidenti i Bankës Qendrore të Gjermanisë, Jens Weidmann, një kritik i vjetër i politikave të BQE, tha se shqetësimet janë të ekzagjeruara dhe se pritshmëritë për një rritje të normave të interesit në vitin 2019, janë realistike.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.