Ngatërresa ‘lek i ri- lek i vjetër”’, dy propozimet e Genc Pollos: Euro ose një reformë e re monetare
Reforma monetare që u ndërmor në Shqipëri rreth 6 dekada më parë vijon ende të reflektohet në komunikimin e përditshëm të shprehjes së vlerës reale të parasë. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë vazhdimisht fushata për ndërgjegjësimin e popullatës për përdorimin e vlerës reale të lekut.
Ish ministri Genc Pollo shkruan në Facebook se për zgjidhjen e problematikës së krijuar nga reforma e vitit 1964 kur vlera e lekut të ri u përcaktua 10 herë më e vogël se ajo e lekut të vjetër por që krijoi ngatërresë në popullatë, mund të zgjidhet në dy rrugë.
“Sipas meje ka dy zgjidhje për të arritur në normalitet:
1- Adoptimi i Euros si monedhë (dmth anëtarësimi në eurozonë); por kjo mundësi duket shumë larg në horizont.
2- Reformë monetare e cila fut në qarkullim një lek me vlerë më të vogël se leku zyrtar por jo 10 herë! Sepse po të jetë 10 herë popullsia do të bazohet prapë tek leku i vjetër dhe, në përdorim, do e shumëzojë jo më me 10 por me 100 lekun e hedhur rishtaz në qarkullim. Vlera e monedhës së re duhet të jetë p. sh. 7 ose 3 herë (dmth midis 2 e 9) më e vogël se ajo e monedhës së vjetër në mënyrë që masa e përdoruesve të zvjerdhet nga leku i vitit 1964” shkruan Pollo në Facebook.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.