Nisin bisedimet në Gjermani – Merkel flet me optimizëm për rikthimin e “koalicionit të madh”
Kancelarja Angela Merkel tha se është optimiste se konservatorët e saj dhe social demokratët (SPD) mund të arrijnë në dakordësi për të bashkuar forcat, ndërkohë që kanë nisur bisedimet për të risjellë “koalicionin e madh” që ka qeverisur Gjermaninë që prej 2013-ës.
Bindja e partisë Social Demokrate është alternativa më e mirë e Merkel për të formuar një qeveri të qëndrueshme për ekonominë më të madhe të Europës dhe për të zgjatur 12 vitet e saj në detyrë.
Ndërsa arriti në selinë e partisë Social Demokrate 3 muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, Merkel tha se të dyja palët kanë shumë punë për të bërë. Partia Social Demokrate, që ka thënë se do të shkojë në opozitë pas rezultatit më të keq në zgjedhje që prej vitit 1933, ka rikonsideruar aleancën me ndërhyrjen e presidentit gjerman. Megjithatë qëndrojnë ende barriera.
Një grup i quajtur “jo koalicionit të madh” është formuar brenda social demokratëve për të kundërshtuar bashkimin me Merkel, duke thënë se kjo do të bënte partinë e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë, partinë kryesore opozitare.
Lideri i social demokratëve, Martin Schulz tha se partia e tij do t’i hyjë negociatave në mënyrë konstruktive, pavarësisht se rezultati i bisedmieve është i paqartë.
Schulz tha se 5 ditë do të jenë të mjaftueshme për të zbuluar nëse partitë kanë ende gjëra të përhbashkëta, në mënyrë që të nisin bisedimet intensive për koalicion. Lidershipi i social – demokratëve do të rekomandojë të Premten që vjen nëse do të nisin apo jo negociatat e më pas do të vendoset më datë 21 Janar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.