Nisin punimet e parkimit nëntokësor te sheshi “Italia” – Veliaj: Në total, 500 vende të lira bashkë me ato të stadiumit
Kanë nisur punimet për ndërtimin parkingut nëntokësor publik në sheshin “Italia” me një kapacitet 200 vendësh. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka ndjekur nga afër edhe kantierin e punimeve përkrah stadiumit “Arena Kombëtare’.
Sipas tij, stadiumi i ri dhe ambientet përreth tij do t’u shërbejnë qytetarëve të Tiranës gjatë gjithë ditëve të javës.
“Është një parking me rreth 200 vende, i cili sot do t’i shërbejë kryesisht funksioneve rreth stadiumit, i cili për herë të parë nuk do të jetë një stadium që do të përdoret një herë në 7 ditë, por do të përdoret 7 ditë të javës, 24 orë. Do të jetë edhe qendër argëtimi, edhe qendër komerciale, edhe qendër kulinare, edhe një hapësirë publike dhe i gjithë sheshi pas përfundimit të parkimit kthehet në një shesh pedonal. Pra, fitojmë një zonë tjetër pedonale, mbas sheshit Skënderbej dhe pas Pazarit të Ri, për t’i dhënë Tiranës sa më shumë hapësira, ku njerëzit të vënë makinat nën tokë dhe të dalin me familjet e tyre mbi tokë, për të shijuar qytetin”, tha Veliaj.
Hyrja e parkingut do të jenë e gjitha nën tokë dhe sipas Veliaj, bashkë me vendet e parkimit të stadiumit, numri total shkon në 500 vende të lira.
Ndërkohë, duke u ndalur te projekti i stadiumit “Arena Kombëtare”, Veliaj shtoi se kryeqytetit do t’i shtohet edhe një tjetër markë e njohur me 5 yje në fushën e hotelerisë, e cila jo vetëm do të sjellë më shumë të ardhura, por do të hapë njëkohësisht edhe vende të reja pune.
“Ky është një projekt jo vetëm i jashtëzakonshëm për qytetin, por edhe që ilustron fabulën tonë. Kulla lart është tashmë në negociata me një nga hotelet më të mira në botë, me 5 yje. Pra, qyteti jo vetëm mori taksa nga kulla, nga stadiumi, por është ekuivalentja e tre shkollave të reja, për më tepër qindra njerëz do të punësohen në hotelin e ri”, u shpreh ai.
G.D/SCAN
Parkimi nëntokësor tek Sheshi “Italia”, Bashkia shpall fituesin – Do të kushtojë 2.52 mln euro
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.