“Një grua me guxim” – Italia emëron shefen e parë femër të shërbimeve sekrete / Ja karriera e saj

Një ish-ambasadore është emëruar si gruaja e parë që do të drejtojë shërbimet sekrete të Italisë.
Kryeministri Mario Draghi njoftoi zgjedhjen e tij të Elisabetta Belloni si kreun e Departamentit të Sigurisë së Informacionit (DIS).
Departamenti mbikëqyr shërbimet e huaja dhe të brendshme të inteligjencës së vendit dhe i raporton drejtpërdrejt qeverisë italiane.
Emërimi i saj u mirëprit nga politikanët italianë, përfshirë kreun e partisë së Lidhjes Matteo Salvini, i cili e përshkroi atë si “një grua me guxim”.
E lindur në 1958, zonja Belloni u bë një nga vajzat e para që iu bashkua Institutit prestigjioz, Massimiliano Massimo në Romë, ku edhe Kryeministri Draghi studioi.
Pasi shërbeu si diplomate në Vjenë dhe Bratislavë, ajo vazhdoi të drejtojë njësinë e krizës të ministrisë së jashtme italiane nga 2004 në 2008, hera e parë që një grua kishte mbajtur rolin.
Gjatë kësaj kohe, asaj iu desh të merrej me shtetas italianë të vrarë ose të plagosur jashtë vendit, duke përfshirë rrëmbime në Afganistan dhe Irak dhe të mbikëqyrte operacionet e shpëtimit për italianët e prekur nga cunami shkatërrues i Oqeanit Indian të vitit 2004.
Zonja Belloni u ngrit brenda radhëve për t’u bërë gruaja e parë në rolin e sekretares së përgjithshme të ministrisë së jashtme, posti më i lartë diplomatik i Italisë, dhe një pozicion që ajo ka mbajtur që nga ajo kohë.
Si pjesë e punës së saj mbi inteligjencën dhe çështjet e sigurisë së huaja dhe të brendshme, DIS i Italisë merret gjithashtu me kundër spiunazh dhe siguri kibernetik.
Në 2019, kryeministri i atëhershëm i Italisë u vu nën vëzhgim pasi lejoi kreun e DIS të takohej me Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA William Barr në dy raste të veçanta, si pjesë e hetimit të SHBA për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale 2016.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.