Një tjetër e moshuar bëhet viktima e 11-të e koronavirusit në Itali
11 persona kanë humbur jetën ndërkohë që 283 rezultojnë të prekur; ky është bilanci aktual në Itali nga koronavirusi.
Nisur nga çfarë raportojnë mediat fqinje, mësohet se viktima e 11-të është grua 76-vjeçare, ndërkohë që gjatë orëve të fundit janë ndarë nga jeta edhe tre të moshuar.
Saktësisht 240 raste dhe 9 viktima janë në Lombardi, 43 raste dhe dy të vdekur në Veneto, 26 raste në Emilia Romagna, 3 në Piemonte, 3 në Lazio, 3 në Siçili, 2 në Toskanë, një në Alto Adige dhe një tjetër në Liguria.
Giuseppe Conte ishte shfaqur disi më optimist në daljen e fundit: jam i bindur se në ditët në vijim, do të arrijmë ta frenojmë përhapjen e sëmundjes, u shpreh ai. Pak pas deklaratës së kryeministri, një 72-vjeçar u konfirmua me koronavirus në Liguria. Kreu i rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana, u përpoq megjithatë ta minimizonte rëndesën e situatës, duke pranuar se gjendja është e vështirë megjithatë jo aq e rrezikshme sa thuhet.
Sipas tij, virusi është shumë agresiv në përhapje, por më pak në pasoja dhe duhet trajtuar pak a shumë, si një grip normal. Kësaj linje i qëndron dhe ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn. Por virologu Alexander Kukele tha për Deutschlandfunk, se Spahn është duke e nënvlerësuar rrezikun e koronavirusit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.